Operonte jashtë standardeve ligjore – Bashkia Cërrik mbyll tregun e kafshëve në Gostimë
Bashkia e Cërrikut ka mbyllur tregun e kafshëve të gjalla në Gostimë pasi ushtronte aktivitetin në kushte që nuk plotësonin standardet ligjore. Me urdhër të krybashkiakut, Altin Toska, ky treg tashmë nuk është në funksion prej disa javësh.
Veterinerët e Bashkisë Cërrik, të mbështetur dhe nga Policia Bashkiake, prej disa të dielash nuk lejojnë asnjë kafshë të futet në këtë treg, ndërkohë që janë njoftuar dhe fermerët apo tregtarët, që nuk do të lejohet më tregtimi i kafshëve të gjalla në atë vend, por secili prej tyre mund t’i drejtohet tregjeve të tjera, siç është ai i Mengelit në Elbasan.
Gjatë monitorimit të tregut të kryer në muajin qershor, është konstatuar se dhjetëra kafshë lëviznin pa matrikuj e certifikata veterinare. Ndërkohë, rreth 3 muaj më pas Bashkia urdhëroi mbylljen e tij për shkak të mosplotësimin të standardeve të duhura që garantojnë sigurinë ushqimore.
Sipas Shefit të Shërbimit Veterinar në Bashkinë Cërrik, kjo e fundit pret fondet për ngritjen e një tregu të ri që plotëson parametrat ligjorë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.