Opozita, bashkëbisedim për buxhetin 2019: Rritet borxhi, PPP-të rrezikojnë ekonominë!
Ndërsa në Kuvend po zhvillohet diskutimi në parim i projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2019, opozita ka zhvilluar një bashkëbisedim për të njëjtën tematikë me përfaqësues të bzinesit, ekspertë, gazetarë dhe grupet e interesit.
Përfaqësuesit e opozitës, që kanë bojkotuar prej disa muajsh parlamentin, në fjalimet e tyre e cilësuan projektbuxhetin si një program që nuk i përgjigjet realitetit ekonomik të vendit, rrit borxhin publik dhe shton barrën e koncesioneve për ekonominë dhe familjet shqiptare..
“Borxhi është 83%, shifër shumë e lartë sepse kemi një buxhet që është jashtë buxhetit. Kemi kontrata koncesionare 2.2 miliard euro, 14 kontrata koncesionare sa 1/4 e Prodhimit të Brendshëm Bruto e që rrezikojnë ekonominë. Sot mbyllen 50 biznese në ditë që më e këtë ritëm do të rriten deri në fund të vitit për shkak të politikave të gabuara” tha Jorida Tabaku.
Ndërsa Florion Mima vendosi theksin të barra që krijohet nga kontratat e Partneritetit Publik Privat. Sipas Mimës, qeveria po përgatitet për kontrata të tjera koncesionare duke rritur në këtë mënyrë edhe më shumë barrën mbi ekonominë shqiptare.
Në të njëjtën linjë edhe deputeti Përparim Spahiu tha se ajo që bie në sy është mungesa e strategjisë në politikën e koncesionimit në infrastrukturë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.