Optimistë dhe pesimistë – Rritet besimi i biznesit, bie ai i konsumatorëve
Besimi i bizneseve në ekonominë shqiptare është në përmirësim, ndërsa ai i konsumatorëve në rënie. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 3.7 pikë në tremujorin e parë të këtij viti, i mbështetur nga sektorët e tregtisë, të shërbimeve dhe të industrisë. Në të kundërt, besimi në sektorin e ndërtimit dhe besimi i konsumatorëve u përkeqësuan.
Dega e shërbimeve ngelet shtylla kryesore e ekonomisë së vendit dhe ecuria pozitive e këtij sektori pasqyrohet edhe në ndjesitë e biznesit. Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve u rrit me 3.6 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe aktualisht qëndron 20 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja e këtij treguesi në tremujorin e parë të vitit erdhi sidomos nga përmirësimi i kërkesës, ku indeksi u rrit me 8.5 pikë përqindje.
Edhe në sektorin e tregtisë, sektor i shërbimeve që matet veç në vrojtim, treguesi i besimit u rrit me 6.8 pikë përqindje. Bizneset tregtare dhanë përgjigje më pozitive për sa i përket ecurisë së përgjithshme të biznesit dhe pritshmërive për punësimin.
Edhe treguesi i besimit në sektorin e industrisë u rrit me 2.4 pikë përqindje, gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, duke pasqyruar rritjen e prodhimit, uljen e gjendjes së inventarëve dhe shtimin e kontratave porositëse. Rritja e tremujorit të parë zhvendosi treguesin rreth 10.2 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Ndër bizneset, vetëm sektori i ndërtimit pësoi rënie të besimit për të dytin tremujor radhazi, me 1.4 pikë përqindje. Kjo rënie përputhet me sinjalet e ngadalësimit të këtij sektori gjatë tremujorëve të fundit, çka e tregojnë edhe të dhënat mbi prodhimin e brendshëm bruto apo indeksi i shitjeve të këtij sektori. Rënia u përcaktua nga pakësimi i kontratave porositëse, ku indeksi ra me 2.8 pikë përqindje. Ndërtimi është i vetmi sektor ku indeksi i besimit qëndron ende poshtë mesatares afatgjatë.
Treguesi i besimit konsumator ra për të dytin tremujor radhazi, me 1.6 pikë përqindje. Rënia u përcaktua kryesisht nga pakësimi i blerjeve të mëdha dhe, në një masë më të vogël, nga vlerësime më pesimiste për situatën e përgjithshme ekonomike të pritur në vend.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.