Organizimi i paligjshëm i lojërave të fatit, Policia: Nga Janari, janë evidentuar 2685 adresa, 70 persona janë proceduar penalisht
Policia e Shtetit vijon kontrollin për evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Në shkallë vendi nga 1 janar 2019 janë ushtruar 7697 kontrolle ambientesh, janë evidentuar dhe proceduar penalisht 70 persona për “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Vënie në dispozicion të lokaleve të lojërave të palejuara” të parashikuar nga nenet 197 dhe 198 të Kodit Penal.
Janë sekuestruar 27 kompjutera, 5 makineta, 7 televizorë, 12 tavolina pokeri, 1100 çipsa.
Nga fillimi i zbatimit të Ligjit Nr.75, datë 25.10.2018, më datën 01.01.2019 dhe deri më datë 20.02.2019, janë evidentuar 12 raste të aktivitetit “Tavolina Poker” si: në Tiranë 6 raste; në Durrës 1 rast; në Berat 2 raste; në Krujë 1 rast; në Librazhd 1 rast; në Shkodër 1 rast.
Në të gjitha këto raste janë sekuestruar tavolinat e pokerit, çipsat dhe letrat e bixhozit dhe janë referuar çështjet në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë sipas territorit që mbulojnë.
Gjithashtu gjatë operacionit në shkallë vendi, Strukturat e Policisë së Shtetit kanë identifikuar, zbuluar dhe evidentuar 2685 adresa (linke) të cilat ushtrojnë këtë aktivitet dhe i ka kërkuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, mbylljen e aksesit për adresa të identifikuara si të dyshuara për vazhdim të ushtrimit të aktivitetit të lojërave të fatit dhe basteve sportive online.
Vetëm një ditë më parë, në qytetin e Tiranës nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në operacionin policor “Aplikacioni” janë proceduar penalisht 8 persona për veprën penale të “Shkelja e të drejtës të pronësisë industriale”, “Fshehje të të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të pa lejuara”, të parashikuar nga nenet 149/a, 180, 197 dhe 198 të Kodit Penal.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 13 aparate “Dream box” dhe “Smart box”, 9 aparate celularë smartphone, 2 kompjuter laptop.
Personat e proceduar kishin role të ndryshme, kryenin aktivitetin e kundërligjshëm të organizimit të lotarive sportive të palejuara duke përdorur aplikacione dhe platformë në kompjutera, laptop, tableta dhe smartphone. Këta shtetas nëpërmjet llogarive që krijonin në mënyrë elektronike u aksesonin klientëve të tyre bileta elektronike për baste sportive.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.