OSBE “bashkon” politikën – Reforma zgjedhore / Gjiknuri: Gjithëpërfshirëse. PD vendos kushte
Pas ftesës së OSBE, mazhoranca dhe opozita janë ulur në një tryezë të përbashkët, duke dhënë sinjale pozitive për realizimin e reformës zgjedhore me pjesëmarrjen e të gjitha palëve politike. Në fjalën e tij ambasadori, Bernd Borchardt bëri apel për dialog me qëllim zgjidhjen e krizës politike, si një process që ka ndikim të drejtpërdrejtë në reformën zgjedhore.
Vendi ka nevojë për dialog e unitet, dhe patjetër që kjo është sfidë e OSBE. Kjo do ndikojë në reformën zgjedhore. Shpresoj që kjo konference të ndikojë në procesin e mëtejshëm. Është një zgjedhje që duhet ta bëjnë partitë shqiptare. Duhet të jetë një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, u shpreh Borchardt.
Përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri kërkoi kontributin e të gjithëve në realizimin e reformës, ndonëse sipas tij sistemi varet nga klasa politike.
Më e drejtpërdrejtë ishte opozita jashtëparlamentare, ku teksa parashtroi kushtet për reformën, kërkoi specifikisht largimin e personave që janë të përfshirë në dosjet 339 dhe 184, të cilët i konsideroi në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me reformën në tërësi.
Ndërkaq, SHBA ka vlerësuar vendimin e opozitës për t’u bërë pjesë e tryezës, që sipas tyre është thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë. Sipas ambasadës së SHBA në Tiranë, me këtë vendim kreu i opozitës, Lulzim Basha, demonstroi udhëheqësi të vërtetë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.