“OSBE-ODIHR konfirmoi masakrën zgjedhore” – Basha: Të hetohen krimet elektorale. Nisim betejën në të gjitha forumet, nuk presim 4 vite
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka konsideruar raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit konfirmim të asaj që ai përsëri e përkufizoi si masakër zgjedhore të orkestruar nga mazhoranca. Ai kërkoi hetim të krimeve zgjedhore nga SPAK, ndërkohë që akuzoi se pikërisht pas publikimit të raporteve janë liruar nga burgu disa prej protagonistëve të dosjes së famshme 339 ku përfshihen pjesëtarë të botës së krimit e të politikës.
Basha paralajmëroi një betejë të ashpër në të gjitha forumet, duke nisur nga Kuvendi, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë duke theksuar se Partia Demokratike është e vendosur që të mos presë katër vite për të rrëzuar qeverinë.
Një ditë më parë, Raporti i OSBE-ODIHR paraqiti një seri vërejtjesh lidhur me zgjedhjet e 25 prillit duke vlerësuar me nota pozitive punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.