OSHEE në Bursë – ALSE mirëpret vendimin e qeverisë
Bursa Shqiptare e Titujve mirëpret nismën për nxjerrjen në ofertë publike të aksioneve të operatorit të sistemit të shpërndarjes. Në një intervistë për Tv Scan, drejtori i përgjithshëm, Artan Gjergji, thotë se në të gjitha vendet e Rajonit, privatizimi i aksioneve të kompanive publike është bërë pjesërisht në Bursë, çka ka ndihmuar në aktivizimin e tregut të kapitalit. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk e ka bërë një gjë të tillë deri më sot.
Bursa Shqiptare e Titujve ka nisur aktivitetin prej më shumë se një muaji, fillimisht për të tregtuar titujt e qeverisë shqiptare. Sipas Gjergjit, volumet e tregtimit janë të kënaqshme, duke konsideruar se bursa është një risi absolute për Shqipërinë.
Deri tani, në Bursën e Tiranës janë të anëtarësuar katër brokera për kryerjen e operacioneve të tregtimit, të gjitha banka tregtare. Ndonëse numri i transaksioneve ende është i kufizuar, volumet e tregtimit të bonove dhe obligacioneve në bursë kanë arritur në miliona euro.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.