OSHEE në krizë financiare – Kërkon sërish shtyrje afati për likuidimin e faturave të blerjes së energjisë
Rritja e blerjeve të energjisë, por edhe pamundësia për tu rikuperuar nga kriza e vitit 2017 ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të kërkojë për herë të tretë ndryshime në afatet e likuidimit të faturave të blerjes së energjisë.
Pas vendosjes së 2 periudhave tranzitore 3-mujore, që i lejonin OSHEE-së të likuidonte faturat brenda 180 ditëve, dhe jo 90 ditëve sikurse parashikon rregullorja, tashmë Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për shqyrtimin e kërkesës së tretë të depozituar nga Operatori i Shpërndarjes. Por, ndryshe nga 2 praktikat e para, në kërkesën e radhës OSHEE kërkon që afati për likuidimin e tregtarëve fitues të ankandeve të shit-blerjes së energjisë të negociohet mes palëve.
Më herët, një pjesë e tregtarëve kanë kundërshtuar zgjatjen e këtij afati. Ndërkohë që, edhe kreu i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë ka ngritur pikëpyetje se kjo masë do të reflektohet në rritje çmimi për konsumatorët fundorë.
Gjithashtu, sipas Janez Kopac , një vonesë kaq e gjatë më shlyerjen e faturave vë në pikëpyetje mbijetesën e prodhuesve. Për periudhën janar-korrik të këtij viti OSHEE ka shpenzuar 126.2 milion euro. Ndërkohë që, në kërkesën e dytë për ndryshimin e likuidimit të faturave, ndër të tjera OSHEE argumentonte se, në rast të mos shtyrjes së afatit, situate aktuale financiare mund të kthehej në risk për furnizimin me energji të klientëve fundorë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.