OSHEE, probleme likuiditeti – Kriza e 2017-ës reflektohet edhe sot, s’paguan dot për shit-blerjet aktuale
Importi i lartë i energjisë elektrike përgjatë vitit 2017, po jep efekte edhe në nisje të vitit 2019, ku Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka shfaqur probleme likuidieti e për pasojë nuk mund të paguajë brenda afatit 90 ditor të përcaktuar në ligj, tregtarët fitues të ankandeve aktuale të shit-blerjes së energjisë. Për këtë arsye, Operatori i Shpërndarjes ka kërkuar nga Enti Rregullator i Energjisë shtrirjen e afatit të këtyre pagesa në 180 ditë, kërkesë që ndonëse u rrëzua një herë nga ERE, është pranuar në datën 19 mars.
Vendimi i dytë vjen pas një ndërhyrjeje të vetë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që ka rekomanduar marrjen parasysh të kërkesës së OSHEE-së, duke u bazuar në faktin se kompania po përballet me një situatë mjaft delikate nga pikëpamja financiar. Ndërkaq, në kërkesën e saj, OSHEE ka shpjeguar se “jo vetëm që nuk mundi të rikuperojë humbjet e shkaktuara nga thatësira e jashtëzakonshme e vitit 2017,por edhe u përball me një kosto shtesë për blerjen e energjisë elektrike si pasojë e mungesës së furnizimit nga KESH sh.a. në pjesën e dytë të vitit, si dhe nga rritja e prodhimit të Prodhuesve të Pavarur të Energjisë Elektrike në pjesën e parë të vitit 2018”.
Për këto arsye, ERE ka vendosur një periudhë tranzitore prej 3 muajsh, ku pagesat mund të kryhen brenda 180 ditëve, ndërkohë që Operatori i Shpërndarjes do informojë çdo fundmuaji për ecurinë e zbatimit të këtij vendimi.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.