Pa fitues edhe tenderi tjetër i shkollave me PPP – Bashkia anulon procedurën për Zonën Tirana 4
Një tjetër tender madhor në infrastrukturën arsimore në kryeqytet është mbyllur pa fitues. Pas anulimit të procedurave për ndërtimin e shkollave të reja në Zonën Tirana 3, edhe Zona Tirana 4 ndjek të njëjtin hap.
Bashkia e Tiranës ka shqyrtuar ofertat e paraqitura për ndërtimin e katër godinave të reja arsimore në këtë zonë, duke vlerësuar se asnjë nuk plotësonte kërkesat e përcaktuara të tenderit.
Koncesioni me fond limit 1.42 miliardë lekë në formën e partneritetit publik-privat parashikonte ndërtimin me të ardhurat e operatorit fitues të dy shkollave 9-vjeçare dhe dy gjimnazeve në zonën e “5 Majit”, Drejtorisë së Higjienës dhe në Njësinë Administrative Dajt, pranë rrugës “Sotic Caci”.
Kompania do të ishte përgjegjëse për administrimin e këtyre godinave për 7 vitet e ardhshme pas ndërtimit, ndërsa gjatë kësaj kohe Bashkia dhe MASR do të paguanin gradualisht shumë e rakorduar të koncesionit.
Nga 4 procedurat e shpallura për ndërtimin e shkollave në Tiranë, vetëm për Zonën Tirana 1 është shpallur si fitues konsorciumi i përbërë nga shoqëritë ‘Agi Kons’, ‘Met Engineering’ dhe ‘Zenit shpk’. Ndërkohë në pritje është edhe fati i koncesionit për zonën Tirana 2.
Gjasat janë që dy tenderët e anuluar të rihapen në një periudhë të dytë. Një nga arsyet pse këto koncesione po hasin vështirësi është edhe likuiditeti i konsiderueshëm që kërkohet nga kompanitë për ndërtimin e godinave, i cili kap vlera nga 1.42 deri në 1.94 miliardë lekë. Shuma totale për godinat arsimore të parashikuara të ndërtohen arrin në 6.56 miliardë lekë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.