Pa licencë dhe me muzikë jashtë orarit! Policia procedon administratorin dhe gjobit edhe 23 klientët
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente.
Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në vendin e quajtur “Ura e Kranesë” 1 subjekt që po vijonte organizimin e aktivitetit me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje.
“Në vijim të veprimeve specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë proceduan penalisht administratorin e subjektit shtetasin V(D). M., 45 vjeç, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, dhe ”Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”. Gjithashtu, është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për administratorin e subjektit, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, dhe masa administrative 10.000, për 23 klientë, të konstatuar në subjekt. Gjatë kontrollit të ambientit, sherbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lëndë narkotike kanabis” njofton policia.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.