Paga mesatare afro 50 mijë lekë – Në vitin 2018 u rrit me 2.4% krahasuar me një vit më parë
Paga mesatare në ekonomi në tremujorin e tretë të vitit të kaluar ishte rreth 50 mijë lekë. Sipas Institutit të Statistikave, që i referohet të dhënave administrative nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, paga mesatare pësoi një rënie të lehtë me afro 400 lekë në muaj krahasuar me tremujorin e dytë.
Megjithatë, me bazë vjetore krahasimi, paga mesatare në ekonomi u rrit me rreth 2.4%. Në vlerë monetare, një i punësuar paguhej rreth 1200 lekë më shumë krahasuar me një vit më parë.
Këto të dhëna tregojnë se rritja e pagave është ende e ngadaltë, sidomos e zhveshur nga efekti i inflacionit. Në terma realë, paga mesatare në tremujorin e tretë u rrit me vetëm 0.2%.
Sidoqoftë, statistikat që mbështeten në të dhënat administrative kanë gjithnjë një marzh pasaktësie, të lidhur me informalitetin. Pagesat informale janë ulur në vitet e fundit, por ato ngelen të pranishme, sidomos për nivelet më të larta të pagave, ku kosto e deklarimit është më e madhe.
Ky është një nga faktorët pse paga mesatare është më e lartë në sektorin publik. Sipas Instat, në shtet paga mesatare është rreth 60,500 lekë në muaj, 20% më e lartë krahasuar me pagën mesatare për të gjithë ekonominë.
Rritja e pagave është një ndër faktorët kryesorë të rritjes së kostove të prodhimit dhe të presioneve inflacioniste në ekonomi. Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të politikës monetare vlerëson se këto presione janë në rritje.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.