Pagat e punonjëseve në Ministrinë e Brendshme rriten nga 22-100 mijë lekë
Punonjësit për çështjet e brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë përfituar një rritje page në bazë të gradave dhe funksioneve që ata kryejnë.
Ky vendim është marrë nga Këshilli i Ministrave pas propozimeve të bëra nga Ministri i Financave dhe Administrata Publike për rishikimin e pagave për këtë kategori.
Efektet financiare të këtij vendimi shtrihen që në datën 1 mars të 2017. Ndryshimet konkrete që do të kenë në paga punonjësit variojnë sipas pozicioneve që ata kanë.
Kështu Drejtori i Përgjithshëm që ka një pagë bazë mbi 116 mijë lekë do të marrë një shtesë page 22 mijë lekë. Nëse i referohemi pagës bazë të zv/drejtorit të përgjithshëm ajo është mbi 107 mijë lekë ndërsa shtesa do të jetë me 17 mijë lekë.
Një shef sektori në nivel qendror e vendor si dhe drejtor ne nivel vendor do të kenë shtesë me 10 mijë lekë mbi bazat aktuale. Sa i përket asistentëve shtesa e pagës do të jetë me 9 mijë lekë ndërsa për inspektorët shtesa do të jetë me 8 mijë lekë mbi pagën bazë.
Ndërsa për punonjësit që nuk kanë grada në këtë sektor do të ketë një shtesë të pagës me 38 mijë lekë deri në 100 mijë lekë në bazë të funksionit që kryejnë. Efektet financiare të këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i 2017 për politikat e reja për pagat.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.