“Pajtohen” Rusia me Turqinë/Putin-Erdogan zyrtarizojnë heqjen e sanksioneve
Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij, Recep Tayyip Erdogan ranë dakord për eliminimin reciprok të sanksioneve tregtare mes dy vendeve.
Rusia vendosi një sërë masash kufizuese ndaj disa produkteve turke, kryesisht lëndë të para, pas incidentit me avionin ushtarak në Nëntor të vitit 2015.
Si kundërpërgjigje, Turqia vendosi tarifa shtesë për importet e produkteve ruse, si mielli apo vaji i lulediellit, produkte të cilat Turqia importon në masë nga Rusia.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, që shoqëroi takimin në Sochi mes dy homologëve, Putin u shpreh se; të gjitha kufizimet shkatërrojnë ekonominë dhe dëmtojnë prodhuesit tanë, dhe për këtë të dy vendet kanë rënë dakord në një zgjidhje komplekse për këto probleme.
“Tani mund të themi me plot bindjen se, procesi i rivendosjes së lidhjeve Rusi-Turqi është i përfunduar, dhe ne po i kthehemi normalitetit”, shtoi numri një i Kremlinit.
Sanksionet nuk do të hiqen vetëm mbi një produkt, domatet; dhe kjo për ti dhënë mundësinë prodhuesve rus që të rimëkëmben.
Konflikti sirian ishte një tjetër çështje e diskutuar mes dy homologëve, të cilët ranë dakord që të punojnë sëbashku për ti dhënë fund këtij konflikti.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.