Më pak biznese të huaja – Bie pesha e tyre në shitje dhe në punësim
Pesha e ndërmarrjeve të huaja në ekonomi ka qenë më e ulët në vitet e fundit.
Sipas shifrave të publikuara nga Instituti i Statistikave, vitin e kaluar ndërmarrjet me kapital të huaj dhe të përbashkët dhanë një kontribut më të ulët ndaj totalit të shitjeve dhe punësimit në ekonomi.
Këto ndërmarrje realizuan 22.7% të shitjeve totale, shifër kjo në rënie për të dytin vit radhazi.
Një tendencë e ngjashme u regjistrua edhe në numrin e të punësuarve, ku pesha e ndërmarrjeve të huaja vitin e kaluar zbriti në 16%, nga 17.7% që ishte një vit më parë.
Kjo tendencë, në fakt, reflekton edhe uljen e numrit të sipërmarrjeve të huaja në vend. Në fund të vitit 2016, numri të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta u ul me 5.1 %, krahasuar me vitin 2015.
I vetmi tregues ku kontributi i kapitalit të huaj po rritet është ai i investimeve. Ndërmarrjet e huaja kontribuuan në afro 47% të investimeve totale vitin e kaluar, në rritje nga niveli 42% i vitit 2015.
Këtu sidoqoftë ndikimin kryesor e kanë pak ndërmarrje të mëdha, kryesisht TAP apo Bankers Petroleum.
Kapitali i huaj në Shqipëri vazhdon të dominohet nga vendet e Bashkimit Europian, me 70% të numrit total të ndërmarrjeve të huaja.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.