Paketa “1 miliard” – Malaj: 40 % e saj të investohet në rrugët rurale
Fokusi apo përzgjedhja e objekteve që do të realizohen nga paketa “1 miliard” duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe të jetë në ato sektorë që zhvillojnë ekonominë dhe rrisin punësimin.
Kështu shprehet në një intervistë për TV SCAN, ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ku analizoi buxhetin dhe paketën fiskale 2018. Sipas Malajt, 40 % e fondit të kësaj pakete do ishte shumë efektive nëse do të investohej në rrugët rurale.
“E vetmja gjë që më bën më të qetë është fakti që Banka Botërore dhe FMN duke ditur këtë risk potencial e kanë detyruar qeverinë shqiptare që të vendosë një tavan të sipërm që pjesa vjetore e pagimit të çdo koncesioni në ekonominë shqiptare përfshirë dhe këto të paketës 1 miliard nuk duhet të jetë më shumë se 5 për qind e të ardhurave. Këtu vijmë pastaj te saktësia e shifrave. A i njohim saktë shifrat. A fillon një projekt me një preventiv te saktë apo do na ndodhë si me Rrugën e Kombit që filloi me 800 milion dhe përfundoi me 1.2 miliard. Sa profesionale është përzgjedhje? A Është kjo struktura më e mirë? Unë personalisht mendoj që 40 për qind e kësaj shume duhet të shkonte për rrugët rurale”, tha Malaj.
Sipas projektit qeveritar për buxhetin e vitit të ardhshëm në programet e investimeve është përfshirë dhe Paketa “1 miliard”.
Kjo nismë parashikon garantimin nga qeveria për një pjesë të investimeve publike, që do të bëjnë kompanitë private.
Por për këtë janë shprehur me rezerva si përfaqësues të FMN dhe ekspertë vendas. Sipas tyre, kjo do të ndikojë në rritjen e borxhit publik.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.