Paketa e deeuroizimit – Ekspertët: Po ndikon pritshmëritë në ekonomi
Prezantimi në muajin shkurt i strategjisë së Bankës së Shqipërisë për të ulur euroizimin e sistemit financiar dhe të ekonomisë shqiptare mund të ketë filluar të japë efektet e para në ekonomi. Eksperti i sistemit financiar, Arjan Kadareja, thotë për TV SCAN se, megjithëse objektivat e kësaj strategjia janë afatgjata, bërja e saj publike me gjasa ka filluar të ndikojë pritshmëritë e bankave dhe agjentëve ekonomikë. Bankat presin të kenë kosto më të larta për euron dhe mund të shtojnë përpjekjet e tyre për t’i orientuar depozituesit dhe kredimarrësit drejt lekut.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në muajin shkurt u dhanë 46 milionë euro kredi e re në euro, 20% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa kredia e re në lekë, u rrit ndjeshëm në shkurt, me 17% krahasuar një vit më parë. E njëjta gjë ndodhi edhe me depozitat në lekë, që u rritën me ritme edhe më të larta, me 32% më shumë krahasuar me shkurtin 2017.
Kadareja shprehet se zhvlerësimi i euros, që mori përmasa të theksuara gjatë muajit mars, mund të lidhet pjesërisht edhe me pritshmëritë që ka krijuar paketa e deeuorizimit. Megjithatë, sipas tij, ecuria e kursit mes euros dhe lekut në të ardhmen do të varet nga faktorë fondamentalë, kryesisht nga raportet mes flukseve hyrëse dhe dalëse të valutës në ekonomi.
Strategjia e deeuorizimit e Bankës së Shqipërisë do të rrisë kostot e mbajtjes së euros dhe do të ulë ato të lekut për bankat tregtare. Kjo qartësisht synon ta orientojë veprimtarinë e tyre më shumë drejt monedhës vendase, duke dekurajuar rritjen e mëtejshme të depozitave dhe kredive në euro.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.