Paketa e Propozimeve të Sipërmarrjes: Të hiqet TVSH për nënkontraktorët, të lehtësohet Kodi i Punës
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, ka dorëzuar paketën e dytë me propozimet e bizneseve për qeverinë. Rekomandimet vijnë pas shqetësimeve të ngritura gjatë tryezave me përfaqësues të bizneseve dhe propozojnë ndryshime në procedurat doganore, tatimore, kodin e punës, etj.
Konkretisht, sipërmarrjet kanë kërkuar rishikimin e ligjit për procedurat doganore, duke i unifikuar ato me procedurat tatimore, të cilat parashikojnë pagesën e detyrimit dhe jo penalitetit. Bizneset kërkojnë gjithashtu shtrirjen e inspektimit online në të gjitha fushat e inspektimit, si diçka që do të garantonte transparencë dhe nxiste konkurrencën në treg.
Sa i takon Kodit të Punës, sipërmarrja ka raportuar problematika në zbatimin e disa akteve nënligjore. Ndaj ato kërkojnë rishikimin e neneve që përcaktojnë gjobat dhe rishikimin e masave të gjobave. Krahas tyre, kërkohet mundësia e vendosjes së një fleksibiliteti më të lartë në zbatimin e orëve minimale, orëve jashtë orarit dhe dhënies së pushimeve. Një tjetër ndryshim i kërkuar në Kodin e Punës është lehtësimi i bizneseve nga detyrimet e kontrolleve mjekësore për punonjësi, përfshirë vendosjen e mjekut.
Paketa përmban edhe disa propozime specifike për sektorë të ndryshëm. Kështu, kërkohet përjashtimi nga TVSH-ja i nënkontraktorëve. Ky propozim vjen nga industria fasone, bazuar mbi problematikat e krijuara, kur nënkontraktorën paguhen pa TVSH, për shkak se subjekti primar që i furnizon pret rimbursimin e TVSH për të bërë pjesën tjetër të pagesës.
Gjithashtu, kërkohet fshirja e detyrimeve të prapambetura për qindra fermerë dhe agrobiznese të rezultura nga një grant i dhënë nga qeveria e Japonisë në vitet 1999-2005.
Ndërsa industria e riciklimit kërkon kufizimin e eksportit të mbetjeve plastike dhe letër, të cilat shërbejnë si lëndë të para për këtë industri, duke qenë se ndalohet aktualisht importi i tyre.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.