Paketa e Ringjalljes Ekonomike/ Kurti: Mbi 100 milionë euro mbështetje për qytetarët!
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Ministri i Ekonomisë Hekuran Murati gjatë një konference të përbashkët për shtyp kanë prezantuar masat e reja mbështetëse në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike të vendit. Vlera totale e këtyre masave është mbi 100 milionë euro dhe nga këto masa do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje e Kosovës.
Gjatë fjalës së tij Kurti u shpreh këto masa mbështetëse përfshijnë: dyfishim të asistencës sociale për muajin prill, 100 euro shtesë për të gjithë pension-marrësit për muajin prill, 100 euro për 300 mijë punëtorët e sektorit privat, 100 euro për 80 mijë punëtoret e sektorit publik, 100 euro për 80 mijë studentët.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës theksoi se për shtresat më të cenueshme të shoqërisë, është nisur zbatimi i programit për shpërndarjen e mbi 40 mijë pakove ushqimore ndërsa do të vazhdojë mbështetja për ofrimin e vakteve përmes kuzhinave popullore.
Ministri Murati bëri të ditur se zbatimi i masave mbështetëse do të filloj nga kjo javë, përkatësisht me ndarjen e shtesave për pensione në fund të kësaj jave dhe sa i përket shtesave të sektorit privat, ai theksoi se shumë shpejt Ministria e Financave do të dalë me njoftim lidhur me procedurën e aplikimit për këto masa.
Gjithashtu, gjatë konferencës kryeministri bëri të ditur se në mbledhjen e nesërme të Qeverisë do të dërgohet për miratim projektligji që do t’i hapë rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto, si dhe heqjes së tatimit për 250 euro pagë. Sipas deklaratës së tij nga rritja e pagës minimale, do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë të Kosovës, kurse prej heqjes së shkallës së parë tatimore, do të përfitojnë të gjithë punëtorët.
Ministri Murati u bëri thirrje qytetarëve që të blejnë produkte vendore dhe të kërkojnë kuponët fiskal për produktet dhe shërbimet e paguara, në mënyrë që të ndihmojnë prodhuesit vendor dhe t’i kontribuojnë rritjes së mirëqenies.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.