Paketa “Shalsi” për taksat – Komisioni kërkon ndryshime, SCAN zbardh propozimet
Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese propozon një paketë të re taksash, duke “rrëzuar” disa nga kërkesat kryesore të qeverisë për vitin 2019. TV SCAN ka siguruar një kopje të propozimeve që do i shkojnë Komisionit të Ekonomisë, ku ndryshimet kryesore lidhen me taksimin e plastikës, akcizën e zhavorrit bituminoz dhe rentën e kromit në eksport. Komisioni i drejtuar nga Eduard Shalsi propozon që taksa e materialeve dhe ambalazheve plastike të importuara të jetë 40 lekë/ kg nga 35 lekë/ kg që kërkon qeveria, ndërkohë që kërkon ulje për taksimin e lëndës së parë, nga 25 në 15 lekë/kg.
Gjithashtu, në “paketë” propozohet edhe një pikë e re, duke kërkuar rimbursimin e taksës së paguar për ambalazhet plastike apo qelqit që do të eksportohen, për të cilat taksa është paguar në momentin e importit apo prodhimit të tyre. Rimbursimi në këtë rast do të kryhet nga Administrata Doganore. Ndërkaq, sa i takon rentës së kromit në eksport, për të cilën qeveria kërkonte rritjen nga 6 në 9%, në paketën “Shalsi” propozohet rritja progresive me 1%, por duke filluar nga viti 2020 dhe jo në vitin 2019. Më konkretisht në vitin 2020 përqindja e rentës së kromit në eksport do të shkojë 7%, në vitin 2021, 8% dhe 9% nga 1 janari i vitit 2022.
Një tjetër ndryshim ka të bëjë me akcizën e zhavorrit bituminoz, ku qeveria kërkoi fillimisht të ishte 2 lekë/kg e më pas depozitoi në Kuvend variantin e rishikuar me 1 lek/kg. Por, deputetët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese kërkojnë uljen e mëtejshme, duke propozuar nivelin 0.4 lekë/kg. Gjithashtu, komisioni kërkon që për fishekzjarrët të paguhet akcizë. Ndryshime kërkohen edhe në ligjin e TVSH-së, ku propozohet që niveli i reduktuar i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të mos jetë vetëm për autobusët elektrike, por edhe për mjetet e tjera të transportit publik, që janë taksitë elektrike. Sikurse për autobusët, edhe për taksitë elektrike kërkohet që TVSH-ja të jetë në nivelin 10%.
Ndërkaq, një propozim i ri që vjen nga ky komision ka të bëjë me importimin dhe furnizimin e plehrave kimikë, pesticideve, farërave dhe fidanëve që përdoren në bujqësi, për të cilat kërkohet të jenë furnizime me shkallë 0% . Miratimin final për këto propozime pritet ta japë Komisioni i Ekonomisë, para votimit të projektbuxhetit dhe ligjeve fiskale që e shoqërojnë, në seancë plenare.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.