Paketë fiskale 3-vjeçare? Biznesi, Jaka: Fillimisht duhet dialog me grupet e interesit
Teksa Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punon për hartimin e një regjimi fiskal 3 deri 5 vjeçar, përfaqësuesit e sipërmarrjes në vend thonë se para se të shkohet në këtë paketë është i nevojshëm dialogu me grupet e interesit.
Në një prononcim, dhënë për TV SCAN, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka thotë se ky dialog duhet të fokusohet te problematikat reale që ka zhvillimi ekonomik në vend.
“Ne e mirëpresim çdo ndryshim të regjimit fiskal kur kemi të bëjmë me lehtësim procedure e ulje tarifash por para së të shkojmë te ndryshimet trevjeçare unë mendoj dhe jam i bindur se Ministria e Financave, Ministria e Sipërmarrjes por dhe kabineti i kryeministrit duhet të ngrenë tryezën e dialogut. Duhet të jetë tryezë me ekspertë, një tryezë konstruktive qw të fokusohet te problematika reale që ka zhvillimi ekonomik në Shqipëri” shprehet Jaka.
Po ashtu, sipas Jakës mjafton që Shqipëria të aplikojë sisteme fiskale si ato të rajonit, që tashmë kanë treguar se janë atraktive për biznesin.
“Mjafton që të implementojmë paketa fiskale apo sisteme fiskale që kanë vendet e rajonit që performojnë dhe janë renditur në top listën e ofertës për sipërmarrjet e huaja dhe vendase.
Kjo është mëse e mjaftueshme për një sistem fiskal atraktiv për sipërmarrjen që investon në Shqipëri. Shpresoj që të jemi në këtë lloj sinkroni në mënyrë që sipërmarrja të plotësojë iniciativën e vet duke gjetur të sistemi fiskal atë që dëshiron të gjejë dhe e gjen në vendet e tjera” shprehet Jaka.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.