Pakti për Universitetit – Balluku, marrëveshje me Politeknikun: Praktika mësimore e kërkim shkencor
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nënshkruar një marrëveshje me disa fakultete në Universitetit Politeknit të Tiranës, e cila parashikon bashkëpunimin në fushën e punësimit të studentëve të ekselencës dhe krijimit të hapësirave për praktikat mësimore, kërkimeve shkencore, ekspertizës dhe konsulencës. Marrëveshja është nënshkruar në kuadër të ‘Paktit për Universitetin”, ndërkohë që ministrja Belinda Balluku u shpreh se bashkëpunimi do të thellohet edhe sa i takon kërkimeve shkencore, ekspertizës dhe konsulencës.
“Ne e konsiderojmë Universitetin Politeknik të Tiranës, dhe Fakultetet të cilat do jenë në partneritet me ministrinë tonë, si një partner strategjik për kërkimet shkencore, për mbështetje me punonjës të rinj nga studentët e ekselencës, për oponencat që ne kemi nevojë në të gjithë sektorët, duke qenë se jemi një ministri multisektoriale. Ky është një bashkëpunim i cili do vazhdojë në vite por dhe do jetë një bashkëpunim dinamik që nuk do mbetet në vetëm çfarë ne kemi vendosur në Paktin për Universitetet por do të ndryshojë sipas nevojave dhe sipas kërkesave që të dy institucionet, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të kenë në të ardhmen”.
Tashmë 32 studentë të ekselencës janë pjesë e administratës së MIE dhe institucioneve të varësisë, ndërsa 240 studentë në vit do të kenë mundësinë të kryejnë praktika mësimore pranë MIE dhe institucioneve të varësisë. Patronazhimi i MIE mbulon tre fakultete, Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, Fakultetin e Gjeologjisë dhe Fakultetin e Ndërtimit, por po vlerësohet zgjerimi i këtij partneriteti edhe me fakultete të tjera të Universitetit Politeknik.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.