[PAMJET] Nga Medreseja, në Kashar – Hapësirat e reja publike që do t’i shtohen kryeqytetit. Detajet e investimit
Hapësira të reja publike do t’i shtohen së shpejti kryeqytetin, ndërsa të tjera ekzistuese do t’i nënshtrohen rehabilitimit. Bashkia e Tiranës ka hapur edhe procedurat e tenderimit për këtë investim, fondi limit i të cilit kap vlerën e 52.6 milionë lekëve.
Bazuar në detajet e projektit, është parashikuar ndërtimi i këtyre hapësirave në disa zona të Tiranës, më konkretisht tek Sheshi ‘Kafe Flora.’ Në këtë të fundit është konceptuar të sillet një hapësirë multifunksionale me sheshpushimi, hapësira për lëvizjen e kalimtarëve, stacion biçikletash. Nuk do të mungojnë po ashtu as gjelbërimi i sheshit, stolat me veshje druri si dhe shtrimi me pllaka guri i hapësirës që do të krijohet si dhe pajisjen me sistemin e ndriçimit.
Grafiku i punimeve përfshin gjithashtu edhe krijimin e një hapësire urbane edhe tek Sheshi i ‘Mimozave’, shumë pranë qendrës së Tiranës, i cili njëkohësisht do të përfshijë vendosjen e elementëve si në Sheshin ‘Kafe Flora’.
Kashari gjithashtu do të transformohet plotësisht me shtimin e sheshit të ri, ku në pjesën jugore të tij është propozuar ndërtimi i një stacioni autobusi, shtimin e hapësirave të gjelbra, vendosjen e stolave si dhe ndërtimin e këndeve të pushimit.
Ndërkohë, Sheshi i ‘Medresesë’ është menduar t’i nënshtrohet rehabilitimit, për t’i dhënë një pamje të re. Konkretisht do të kryhen ndërhyrje për sistemimin e lëvizjes së automjeteve, biçikletave si dhe këmbësorëve dhe kryesisht pranë bustit dhe çezmës që ndodhet në këtë shesh.
Rehabilitimit do t’i nënshtrohet njëkohësisht edhe hapësira publike Sheshi ‘Çajupi’ pranë Bulevardit ‘Bajram Curri.’ Nga detajet e investimit, Parku ‘Çajupi’ është projektuar të përdoret si lulishte, si dhe një pikë takimi që lidh stacionin e autobusit, urën këmbësore mbi Lanë si dhe shërbimet që gjenden pranë parkut.
Një tjetër hapësirë që do të rikonstruktohet është edhe Sheshi i ‘Selitës’, një hapësirë e cila përdoret aktualisht si ven parkimi për makinat. Me ndërhyrjet e reja, hapësira do të përdoret si lulishte/hapësirë shplodhëse. Në qendër të sheshit rekreativ do të vendoset një shkallare me kubikë në disnivele, e cila krijon një miniamfiteatër me stola. Elementë të tjerë përfshijnë gjelbërimin, kënde pushimi si dhe parkim për automjetet.
Sipas dokumenteve të mbërritura pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, kohëzgjatja e kontratës është parashikuar të jetë 6 muaj kalendarikë nisur nga firmosja e saj, ndërkohë që operatorët ekonomikë mund të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 16 janar të vitit 2019.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.