[Pamjet] Si do të duket parku i ri i Shijakut – Bashkia hap tenderin. Detajet e projektit
Parku i qytetit të Shijakut së shpejti do t’i nënshtrohet rikonstruksionit, duke u bërë funksional për qytetarët. Bashkia e Shijakut ka hapur procedurat e prokurimit publik për ndërtimin e tij, ku fondi limit i vënë në dispozicion për këtë investim kap vlerën me më shumë se 45.3 milionë lekëve.
Gjendja aktuale e parkut paraqitet jofunksionale dhe e papërdorshme nga qytetarët. Sot kjo zonë është pjesë e shkollës, godina e së cilës është e degraduar plotësisht, e cila pritet të dalë jashtë funksionit me ndërtimin e një shkolle të re. Nisur nga kjo, projekti parashikon ndërhyrje në rifunksionalizimin e tij, për ta shndërruar atë në një atraksion kryesor të qytetit.
Ndërhyrjet parashikojnë shtimin e hapësirave të gjelbra duke ruajtur pemët ekzistuese dhe duke shtuar të reja. Në këtë kuadër është menduar të krijohet një kombinim mes gjelbërimi të ulët dhe të lartë di dhe ngjyrave të ndryshme për të krijuar një larmishmëri ngjyrash.
Pjesë e rëndësishme e investimit janë edhe vendosja e stolave, këndi i lojërave si dhe ndërtimi i një amfiteatri që do të shërbejë si pikë grumbullimi dhe për organizimin e eventeve të ndryshme. Grafiku i punimeve përfshin gjithashtu edhe shtrimin e pasazheve të parkut me material betoni, si dhe vendosjen e një piste biçiklete. Afati kohor për zbatimin e kontratës është parashikuar 90 ditë kalendarike nga dita e nënshkrimit të saj nga palët.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.