Panasonic ‘pezullon transaksionet’ me Huawei pas kufizimeve të SHBA
Kompania japoneze Panasonic deklaroi se do të ndërpresë marrëdhëniet tregtare me Huawei në përputhje me kufizimet e SHBA-ve. Panasonic bëri me dije se kjo ndërprerje do të zbatohet për mallrat që kanë 25% ose më shumë materiale të origjinës nga SHBA.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara, e vendosën Huawei në një listë kompanish me të cilat firmat amerikane mund të bashkëpunojnë vetëm nëse janë të pajisur me licencë.
Kufizimet shënojnë një përshkallëzim të përpjekjeve amerikane për të bllokuar Huawei, cka thuhet se përbën një rrezik për sigurinë.
“Panasonic deklaroi në një njoftim të brendshëm se duhet të pezullojë transaksionet me Huawei dhe 68 bashkëpunëtorët e saj të ndaluar nga qeveria amerikane,” sipas burimeve të BBC.
Më vonë të enjten, Panasonic duket se e kundërshtoi këtë pozicion me një deklaratë të postuar në faqen e saj të internetit në Kinë, ku thuhej se kompania japoneze po vazhdonte të furnizonte Huawei. Gjithashtu nuk ishte e qartë se cilat transaksione Panasonic po pezullonin ose pse ata ishin subjekt i kufizimeve të SHBA.
Huawei ka qenë në epiqendrën e luftës së fuqive, SHBA-Kinë, prej disa muajsh. Udhëhequr nga SHBA, firma po përballet me një reagim në rritje nga vendet perëndimore mbi rreziqet e mundshme që paraqiten duke përdorur produktet e saj në rrjetet e reja të gjeneratës 5G. SHBA argumenton se qeveria kineze mund të përdorë produktet Huawei për mbikëqyrje dhe kontrolle. Huawei mohon pretendime të tilla dhe thotë se është i pavarur nga qeveria kineze.
Burimi: BBC
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.