Pandemia “bllokoi” spitalet – Fokusi te COVID-19, INSTAT: Në 2020-ën u realizuan 27.2% më pak operacione
Numri i pacientëve të shtruar në spitale, por edhe vizitave shëndetësore shënoi një rënie të ndjeshme gjatë vitit 2020, në raport me një vit më parë, duke reflektuar përqendrimin e institucioneve te lufta kundër COVID-19 dhe shfokusimin nga sëmundjet e tjera. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave në vend në vitin 2020 numri i të shtruarve në spitalet publike e jopublike është 201.449 pacientë, nga 282.962 që ishte një vit më parë, duke shënuar një rënie me 29%.
Ndërkohë që, rënie të ndjeshme ka shënuar edhe numri i ndërhyrjeve kirurgjikale, ku sipas INSTAT në vitit 2020 u realizuan 46.369 ndërhyrje apo 27.2% më pak se një vit më parë. Paralelisht, edhe numri i vizitave gjithsej, duke përfshirë sistemin shëndetësore parësor dhe atë spitalor ka shënuar rënie me 3,9 %, krahasuar me numrin e vizitave në vitin 2019. Ulje e vizitave është shënuar edhe pranë konsultorit të fëmijës, duke regjistruar një rënie me 9.5% në raport me vitin 2019.
Ndërkohë që, sa i takon mbulesës vaksinale ajo është mesatarisht në nivelet mbi 97,0 % duke përmbushur kriterin bazë, ku çdo antigen vaksinal duhet të jetë mbi 95,0 % në nivel kombëtar. Përjashtim bënë vetëm grupi Fruth, Rubeolë dhe Parotit, e njohur ndryshe si vaksina MMR, që në vitin 2020 rezulton me një mbulim prej 91,0 % apo 4% më pak krahasuar ne vitin 2019.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.