Pandemia, shkak edhe për distancim tregtar. Eksportet me Kosovën bien me 20%
Shkëmbimet tregtare me Kosovën janë luhatur ndjeshëm në këtë periudhë 9 mujore të vitit. Referuar raportit më të fundit të Instat, eksportet nga Kosova kanë rënë me 20%, krahasuar me periudhën janar – shtator 2019. Sipas shifrave të raportit, nga 22.6 miliardë lekë mallra të eksportuara drejt Kosovës në periudhën 9 mujore të një viti më parë, për po të njëjtën periudhë të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar 4.6 miliardë lekë më pak mallra.
Megjithatë, rezulton se shtatori ka qenë një muaj rikuperimi, përsa i përket eksportit. Mallrat e eksportuara drejt Kosovës në këtë muaj të vitit janë në vlerën e 2.7 miliardë lekë, në një kohë që në shtator 2019, kjo vlerë ishte 2.4 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, ashtu sikur eksportet drejt Kosovës, edhe importet kanë ndjerë luhatje. Në periudhën janar – shtator 2019, Shqipëria importoi mallra me vlerë 5.9 miliardë lekë nga Kosova, në një kohë që për po të njëjtën periudhë të këtij viti, vlera ra në 5.8 miliardë lekë. Sipas shifrave, duket se as në shtator ky trend nuk ka ndryshuar, pasi nga 761 milionë lekë importe në shtator 2019, vlera ka shkuar në 751 milionë lekë në shtator 2020.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.