Pandemia tek prodhuesit e makinave. Renault e mbyll 2020 me 8 mld euro humbje, 2021 pritet i vështirë
Renault po përballet me sfida të reja ndërkohë që Bashkimi Europian shtrëngon rregullat e ndotjes dhe Ekzekutivi i Renault, Luca de Meo, paralajmëroi për luhatje në vitin 2021, ndërkohë që mungesat në çipet elektronike kanë shtuar pasiguritë, pasi pandemia e Covid-19 solli një humbje tek prodhuesi francez prej 8 miliardë euro në vitin e kaluar. Ekzekutivi, që mori detyrën në Korrik, po përpiqet të rrisë përfitueshmërinë dhe shitjet tek Renault, ndërkohë që vazhdon planin e shkurtimit të kostove. Grupi nuk dha udhëzim financiar për këtë vit, pavarësisht se ka thënë se mund të arrijë objektivin e reduktimit të kostove prej 2 miliardë euro përpara kohe, me shumë mundësi në Dhjetor.
Kompania paralajmëroi se porositë kanë rënë në nisje të vitit për shkak të kufizimeve nga pandemia në shumë vende pasi rivalët PSA dhe Fiat Chrysler bashkuan forcat për të krijuar Stellantis, që u bë prodhuesi i katërt më i madh në botë i makinave. Të gjithë kompanitë e makinave kanë hasur një goditje në 2020-n, por rimëkëmbja në shitjet e makinave premium në Kinë në fund të vitit, kanë ndihmuar marka firma si Volkswagen dhe Daimler që ta përballojnë më mirë. “2021 duhet të jetë një tjetër vit i vështirë, por ne kemi ndërmarrë masat e duhura për të kaluar sfidat”- tha ekzekutivi i Renault, duke shtuar se nga gjysma e dytë e vitit, pritet të zbutet mungesa e çipeve elektronikë. Kompania vlerësoi se ky problem me komponentët mund të ndikojë prodhimin me rreth 100,000 makina këtë vit. Aksionet e kompanisë ranë me 5.3% në nisje të sesionit të fundit tregtar për këtë javë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.