Pandemia tkurr kartat e kreditit – Shifrat e BSH, për herë të parë në histori bie numri i tyre në qarkullim
Pandemia ka goditur shumë aspekte të jetës sonë, duke ndikuar rrënjësisht në sjelljen e konsumatorit. Një tregues që e ilustron më së miri këtë është edhe ai i numrit të kartave të kreditit në qarkullim. Tremujori i dytë i këtij viti shënon herën e parë që prej raportimit të të dhënave nga banka e Shqipërisë, që numri i kartave të kreditit në qarkullim, bie. Kështu, në tremujorin e parë regjistroheshin 114,941 karta krediti, ndërkohë që në tremujorin e dytë të vitit, kjo shifër ra në 112,749.
Rënia fiksohet në masën 1.94%. Që prej vitit 2004, në një raportim me bazë vjetore, dhe jo tremujorësh, kjo shifër nuk ka qenë kurrë në rënie, por në rritje graduale. Madje, shifra e tremujorit të dytë të vitit, kur edhe kriza nga pandemia ishte në kulmin e saj, është më e ulët edhe se viti paraardhës. Sa i përket kartave të debitit, pra atyre që përdor shumëkush si kartë të llogarisë së tyre bankare, ku akreditohet edhe paga, numri vihet re në rritje në tremujorin e dytë, nga 1 milionë e 47 mijë, në 1 milionë e 73 mijë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.