Pandemia tkurr tregun e sigurimeve – Bien ndjeshëm kartoni jeshil dhe kalimi i kufirit, rriten dëmshpërblimet e kompanive
Sektori i sigurimeve ka ndjerë në masë të konsiderueshme peshën e pandemisë, veçanërisht kufizimin e lëvizjes së qytetarëve e bizneseve. Në tërësinë e vet, kompanitë e sigurimeve kanë arkëtuar 6.54% më pak të ardhura se në periudhën janar-shtator 2019, ndërkohë që goditjen më të rëndë e ka pësuar sigurimi kufitar dhe kartoni jeshil, kontratat që paguajnë qytetarët e biznesit kur lëvizin jashtë Shqipërisë e anasjelltas.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-shtator pati një ulje prej 40.69% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 58.13% krahasuar me periudhën janar-shtator 2019.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-shtator, pati një ulje 60.50% të vëllimit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-shtator 2019. Edhe numri i kontratave u ul me 67.65%.
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shtator 2020 kapën vlerën mbi 11,9 miliardë lekë, ose 6.54% më pak se në periudhën janar-shtator 2019. Gjatë periudhës janar-shtator 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 693,507 me një ulje prej 30.10% krahasuar me periudhën janar-shtator 2019.
Bie në sy se Kompanitë gjatë pandemisë kanë rritur shifrat e shlyerjes së dëmeve, tregues që lidhet me tërmetin e 26 nëntorit të vitit të shkuar. Gjatë periudhës janar-shtator 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 5,572 milionë lekë, ose 30.27% më shumë se në periudhën janar-shtator 2019.
Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket pikërisht sigurimit nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës me rreth 2,546 milionë lekë, apo 45.70% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.