Pandemia “tronditi” doganat – Humbën 63.5 milionë euro, Prilli pësoi goditjen më të madhe
Doganat kanë mbledhur rreth 54.9 miliardë lekë në 5 muajt e parë të vitit, duke humbur 7.9 miliardë lekë apo 63.5 milionë euro në raport me 5-mujorin i vitit 2019. Të dhënat zyrtare të financave tregojnë goditjen e fortë që kanë marrë të ardhurat doganore, për shkak të masave të marra ndaj pandemisë Covid-19 dhe frenimit të ndjeshëm të aktivitetit të bizneseve.
Konkretisht rënia në total paraqitet në 12.5 për qind dhe muajt që kanë pasur humbje, janë Mars Prill dhe Maj, që përkojnë edhe me muajt e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Gjatë këtyre muajve ku vendi ishte nën “pushtetin” total të infeksionit Coronavirus, të gjithë treguesit e të ardhurave të doganave paraqiten në rënie, dhe konkretisht bëhet fjalë për TVSH-në doganore, që aplikohet për të gjitha importet e mallrave, taksa doganore, akciza dhe të tjera.
Goditja më e madhe në të ardhura rezulton në Prill, me një humbje prej 4.5 miliardë lekë në krahasim me Prilli 2019 dhe më pas renditet Maji. Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, për pesë mujorin importet ranë me 17% krahasuar me vitin e kaluar, çka është edhe tregues kryesor për rënien e të ardhurave në dogana.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.