Pandemia vazhdoi, ndihma ekonomike u ul – 8-mujori, u shpenzuan 5 milionë euro më pak
Edhe pse qeveria vendosi dyfishimin e ndihmës ekonomike përgjatë periudhës Janar-Qershor 2021 për të gjithë qytetarët përfitues, shifrat zyrtare të financave tregojnë një situatë tjetër. Sipas të dhënave zyrtare, shpenzimet sociale në 8 mujorin e parë të vitit kanë pasur një rënie prej 250 milionë lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por ajo që është kontradiktore ka të bëjë me ndihmën ekonomike, ku për Janar-Gusht 2021 janë paguar afro 15.7 miliardë lekë, ndërkohe që në 8-mujorin 2020 u paguan 16.3 miliardë lekë. Shifrat tregojnë se shpenzimet për këtë kategori janë tkurrur me rreth 600 milionë lekë apo 5 milionë euro, ndërkohë që pritej të ishte e kundërta për shkak se qytetarët përfitues, shifër që arrin në mbi 63 mijë, presupozohet të kenë marrë dyfishin e pagesës për 6 muaj me radhë.
Nga ana tjetër, për bonusin e lindjeve është pagur më shumë, kjo dhe për shkak të rritjes së lindshmërisë gjatë këtij viti. Për këtë kategori kanë shkuar 2.2 miliardë lekë nga 1.8 miliardë që u paguan në 8 mujorin 2020. Po ashtu dhe pagesa e papunësisë ka një rritje të lehtë. Në total shpenzimet sociale u regjistruan në 19 miliardë lekë në 8 muaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.