Papunësia zbriti gjatë 2018 – Hendeku gjinor vijoi të mbetet problem
Shkalla e papunësisë është ulur gjatë vitit 2018. Sipas vlerësimeve të bëra në Anketën e Forcave të Punës gjatë vitit të kaluar numri i individëve të gatshëm për punë ishte mbi 1.4 milionë nga të cilët të punësuar rezultuan të jenë mbi 1.2 milionë.
Sipas INSTAT, 43.9% e të punësuarve përbëhet nga femrat ndërsa 56.1% janë meshkuj.
Nga ana tjetër numri i të papunëve ka arritur në 173 mijë persona raportet e të cilës ndahet në 42.3% femra dhe 57.7% meshkuj.
Ajo ç’ka vihet re është se meshkujt kanë një shkallë më të lartë në forcat e punës sesa femrat. Shkalla e punësimit për femrat është 52.4% ndërsa për meshkujt është 66.7%. Diferenca mes tyre është 14.3 pikë përqindje.
Sipas të dhënave nga INSTAT, sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 42,9 % dhe 37,4 % të të punësuarve gjithsej.
Shkalla zyrtare e papunësisë, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 12,3 % dhe shënon një ulje me 1,4 pikë përqindje krahasuar me vitin 2017. Për meshkujt, shkalla e papunësisë është 0,8 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 28,3 % .
Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve në 2018 ka rënë me 3,6 pikë përqindje. Në vitin 2018, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 28,6 % të të rinjve gjithsej. Në grupin e të rinjve që nuk janë të punësuar dhe nuk janë as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, 36,6 % klasifikohen si të papunë.
Analiza mbi baza rajonale ka rezultuar se në vitin 2018, qarqet me shkallë punësimi më të lartë për popullsinë 15-64 vjeç janë: Elbasani (61,5 %) dhe Korça (59,5 %). Ndërsa qarku me shkallë punësimi më të ulët është qarku Lezhë (45,6 %).
Estina Trungu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.