Paqartësi me urdhërin që ndalon grumbullimet e më shumë se 10 personave! Kuvendi anulon seancën dhe kërkon shpjegime nga ministrja
Vendimi i njoftuar nga komiteti teknik i pandemisë për të ndaluar grumbullimin e më shumë se 10 personave në ambientet e hapura dhe të mbyllura ka shkaktuar paqartësi. Ende nuk është sqaruar se çfarë do të ndodhë me shkollat, mjetet e transportit publik apo edhe lokalet ku ka grumbullime njerëzisht. Paqartësi ka edhe në Kuvendin e Shqipërisë.
Kuvendi ka anuluar seancën plenare në zbatim të vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë që ndalon grumbullimet e më shumë se 10 personave në vende të hapura e të mbyllura. Referuar njoftimit zyrtar, në zbatim të këtij vendimi, është vendosur që të mos zhvillohet seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për ditën e enjte, datë 19 nëntor 2020.
“Në respekt të zbatimit të këtyre masave, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i është drejtuar Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, për të bërë një interpretim lidhur me vazhdimin e seancave plenare të Kuvendit. Puna në komisionet parlamentare vazhdon online” shkruhet në njoftimin e Kuvendit.
SCAN
Lexo edhe:
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.