Paraja në qarkullim, rekord historik – Arrin në 341 miliard lekë në gusht, rritje me 320 milion euro pas pandemisë
Gjatë muajit gusht të këtij viti, paraja në qarkullim në ekonominë tonë ka prekur një nivel të ri rekord, prej 341 mld lekësh. Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, gjatë muajit gusht, indikatori që mat nivelin e parasë në qarkullim është rritur me rreth 1.7% në krahasim me muajin korrik të këtij viti ose me rreth 5.7 mld lekë. Shifra prej 341 mld lekësh, ose rreth 2.76 mld euro të parasë në qarkullim në vendin tonë është niveli më i lartë historik.
Ky indikator mat vetëm nivelin e monedhës vendase në qarkullim dhe asnjë valutë të huaj. Indikatori i parasë në qarkullim mat diferencën e parasë së emetuar nga Banka e Shqipërisë dhe sasisë së parave që gjendet akoma në arkat e institucionit, pra të gjithë sasinë e lekut shqiptar që është në qarkullim në sistem, jashtë dyerve të Bankës së Shqipërisë.
Që prej shpërthimit të pandemisë, niveli i parasë në qarkullim në ekonominë tonë është rritur me rreth 40 miliardë lekë, ekuivalente e rreth 320 mln euro, në rritje me 13%. Kjo është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e politikave lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë, pas dhe gjatë krizës.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.