Paralajmëron Banka Botërore: “Rritja e tarifave do të kthejë tregtinë globale në nivelet e vitit 2008”
Përshpejtimi i luftës tregtare mund të kthejë nivelet e tregtisë globale në vitin 2008, paralajmëron Banka Botërore. Në raportin e fundit mbi “Perspektivën Ekonomike Globale”, organizata dha një projeksion të zymtë për tregjet në zhvillim dhe ato të zhvilluara, duke përfshirë në analizë përshpejtimin e konflikteve tregtare.
“Vendosja e tarifave mund të ketë pasoja negative për tregtinë globale. Përshpejtimi i tyre mund të përkthehet në një rënie të fluksit tregtar në të gjithë botën me rreth 9%, e ngjashme me rënien e regjistruar gjatë krizës globale financiare të vitit 2008”, bëri të ditur Banka Botërore në raport.
Kanadaja, Meksika dhe Bashkimi Europian po përgatisim masat e tyre ndaj Shteteve të Bashkuara, në përgjigje të lajmërimit të Donald Trump gjatë javës së kaluar, ku nuk përjashtoi këto ekonomi nga tarifat mbi çelikun dhe aluminin.
Zhvillimet ndjekin përplasjet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, të nisura nga akuzat e Shtëpisë së Bardhë për praktikat e padrejta tregtare të Pekinit dhe suficitit gjigant që ka me Amerikën.
Sipas Bankës Botërore, vendet që do të goditen më rëndë nga proteksionizmi do të jenë tregjet në zhvillim dhe ekonomitë e zhvilluara, me sektorë si bujqësia dhe procesimi i ushqimit që do të kenë efektet më negative.
Ngadalësimi i aktivitetit tregtar në Kinë apo SHBA, që janë 2 ekonomitë më të mëdha në botë, do të sillte efekte të përhapjes në pjesën tjetër të botës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.