Paralajmëron kreu i Airbus – “Procesi i Brexit, turpërues. Do detyrohemi të largohemi nga Britania”
Airbus deklaroi se mund të detyrohet që të dalë nga Mbretëria e Bashkuar në rastin e Brexit pa marrëveshje, duke goditur mbështetësit e Brexit që supozojnë se prodhuesi i avionëve do të qëndrojë.
“Nëse ka Brexit pa marrëveshje, Airbus do të detyrohet të marrë një vendim të dëmshëm për Britaninë. Mos dëgjoni çmendurinë e mbështetësve të Brexit që thonë se ne nuk do braktisim Britaninë për shkak se kemi fabrika të mëdha atje” –tha Tom Enders, kreu ekzekutiv i Airbus.
Komentet u bënë në një video te pazakontë të publikuar nga kompania këtë të Enjte dhe përbëjnë mesazhin më të fortë nga kreu i kompanisë që prej referendumit të 2016-ës. Kjo shton presionet për Theresa May, që ndodhet mes konservatorëve të partisë së saj që po përpiqen ta detyrojnë që të vonojë Brexit dhe euroskeptikëve që kërcënojnë se do të hedhin poshtë Qeverinë nëse ajo e bën këtë. Airbus, kompania me seli në Touluse, Francë, punëson në mënyrë direkte 14 mijë persona në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbështet 110,000 të tjerë.
Kompania ka qendra të prodhimit në Filton, jugperëndim të Anglisë dhe në Uells. Koha për të arritur në një vendim për Brexit po mbaron. Nëse Mbretëria e Bashkuar nuk bie dakord për një marrëveshje në 9 javët e ardhshme, vendi do të dalë nga Bashkimi Europian në mënyrë të çrregullt.
“Është turp që pas më shumë se dy viteve nga referendumi, bizneset nuk kanë ende mundësi që të planifikojnë investimet në të ardhmen” – tha kreu i Airbus.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.