Parandalimi i koronavirusit / Shqipëria përgatit ambientet e veçanta në Infektiv, Manastirliu: Mbikëqyrje aktive
“Është e rëndësishme që në QSUT ne kemi bokset e izolimit, të pajisur me gjithë elementët përkatës, që nga pjesa e aparateve respiratore të monitorimit edhe sistemin e gazrave mjekësor. Përsa i përket ndjekjes së rasteve, është përcaktuar edhe algoritmi i ndjekjes së rastit, që do të thotë se nga moment i konstatimit apo dyshimit, rasti paraqitet në QSUT dhe QSUT është struktura që do të mbajë dhe do të trajtojë këto raste, sigurisht në bazë të flukseve që do të kemi”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkoi rritjen e mbikëqyrjes aktive, edhe pse Shqipëria konsiderohet me rrezik të ulët për koronavirusin e ri.
“Duhet të vijojmë survejancën aktive në të gjithat pikat e kalimit kufitar, qoftë ajrore, detare apo tokësore. Dhe të kemi gjithë vigjilencën e duhur në raport me kapjen e hershme të rasteve dhe të zbatojmë të gjitha protokollet dhe udhëzimet që vijnë nga OBSH dhe që janë të miratuara nga Komiteti Teknik që kemi ngritur”.
Manastirliu u shpreh se Task- Forca e strukturave shëndetësore dhe ekspertëve mblidhet çdo ditë dhe po ndjek në vazhdimësi situatën dhe koordinimin e masave mes strukturave shëndetësore, bazuar në rregulloren ndërkombëtare të shëndetit dhe udhëzimet e OBSH. Ndërkohë që, gjatë raportimit të disa ditëve më parë në Kuvend, ministrja deklaroi se Shqipëria ka kaluar në shkallën e riskut të moderuar sa i takon rasteve të importuar, pra rasteve që janë konfirmuar në Evropë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.