Paratë falas nuk nxisin punësimin – Dështon eksperimenti i Finlandës me të ardhurat bazë
Qeveria e Finlandës publikoi këtë javë zbulimet e para nga eksperimenti i të ardhurave bazë që përfundoi muajin e kaluar.
Hulumtuesit thanë se skema ka dështuar të nxisë të papunët që të punojnë më shumë dhe të fitojnë më shumë para. Gjatë eksperimentit, 2,000 finlandezë të papunë u bënë europianët e parë që përfitojnë të ardhura bazë të garantuara, një pagesë mujore prej 560 euro nga shteti për 2 vite, pavarësisht nëse janë në punë apo jo.
“Ndikimi në punësim duket se ka qenë minimal gjatë vitit të parë të eksperimentit” –tha Ministri i Shëndetësisë i Finlandës, Pirkko Mattila. Finlanda po sheh për alternativa që të rinovojë modelin e sigurisë sociale, një detyrë e vështirë që pritet të trajtohet pas zgjedhjeve parlamentare në Prill. Nëpërmjet eksperimentit, Finlanda ofroi një rrjetë sigurie për ata që nuk munden apo thjesht nuk duan të punojnë, por gjithashtu duke i inkurajuar ata që të pranojnë punë të përkohshme apo me pagë të ulët, pa humbur përfitimet e dhëna. Edhe pse ndikimi në papunësi ishte minimal, ata që morën pjesë në eksperiment ishin më të gëzuar dhe të shëndetshëm.
“Eksperimenti i të ardhurave bazë dha pak liri dhe mendoj që efekti më i madh ishte psikologjik” -tha Sini Marttinen, një prej pjesëmarrësve në eksperiment. Plani origjinal i Qeverisë ishte rritja e skemës së të ardhurave bazë pas dy vitesh, ndërkohë që po përpiqet të luftojë papunësinë e lartë. Duke ndërmarrë një qasje tjetër, Qeveria vendosi sanksione të reja vitin e kaluar, për të papunët që nuk pranuan punë, duke marrë paralelisht përfitimet.
Norma e papunësisë në Finlandë arriti në 6.6% në Dhjetor.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.