Paratë që gjenerojnë kupat – 1.7 mld euro për klubet, 400 mln në Europa League
Të dhënat zyrtare nga UEFA tregojnë se, klubet që kanë marrë pjesë gjatë edicionin 2016/2017 të Europa League ndajnë mes tyre plot 399.8 milionë euro.
Kjo shumë parash nuk është aspak e vogël dhe tregon se kupa europiane nuk është aq e parëndësishme sa mund të thotë shumëkush.
Fitimet tregtare bruto të Kupës së kampionëve dhe asaj të Europës të këtij viti fiksohen në 2.35 miliardë euro.
Nga kjo shumë, 12%, ose 282 milionë euro shkojnë për të mbuluar shpenzimet e organizimit dhe administrimit të kompeticioneve, ndërsa rreth 200 milionë do të shkojë për pagesa të tjera.
Nga ajo që mbetet, pra nga 1.86 miliardë euro, 8% shkon për futbollin europian, pra i mbetet UEFA-s, ndërkohë që pjesa tjetër, 92% i ndahet klubeve, pra 1.71 miliardë euro.
Ndërkohë që nga kjo shumë, 400 milionë shkojnë për klubet pjesëmarrëse në Europa League, pjesa e mbetur, rreth 1.3 miliardë euro ndahen mes klubeve pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve.
Secila nga 48 klubet pjesëmarrëse në kupën europiane merr një çmim prej 2.6 milionë euro. Kjo shumë mund të rritet me 360 mijë euro për çdo fitore dhe 120 mijë euro për çdo barazim gjatë fazës së grupeve.
Paratë që UEFA nuk i shpërndan, pra ato të barazimit, rishpërndahen mes skuadrave të grupit në mënyrë proporcionale me fitoret e grumbulluara.
Fitueset e grupit marrin një bonus në 600 mijë euro, ndërkohë që vendet e dyta marrin 300 mijë euro.
Skuadrat që kalojnë në çerek finale marrin nga 1 milionë euro dhe gjysëm finalistet nga 1.6 milionë euro. Për fituesen shkojnë 6.5 milionë euro dhe për vendin e dytë 3.5 milionë euro.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.