Parisi mbyll baret dhe lokalet pasi kryeqyteti francez vendoset në alarm maksimal për COVID-19
Parisi do të vendoset në gatishmëri maksimale ndaj COVID-19, që do të thotë që baret do të detyrohen të mbyllen për dy javë nga e marta dhe restorantet do të duhet të vendosin protokolle të reja sanitare për të qëndruar të hapur, bëri me dije zyra e kryeministrit.
Zyra e Kryeministrit Jean Castex tha se nuk kishte pasur ndonjë përmirësim në rajonin e Parisit që kur kryeqyteti kaloi të tre kriteret e qeverisë për t’u vendosur në nivelin më të lartë të gatishmërisë në mes të javës së kaluar.
Puna nga shtëpia duhet të ketë përparësi “tani më shumë se kurrë” në zonën e Parisit dhe sallat e leksioneve universitare duhet të jenë jo më shumë se gjysma e plotë, tha zyra e Castex në një deklaratë. Kufizimet e përforcuara do të hyjnë në fuqi nga e marta.
“Këto masa, të domosdoshme në luftën për të frenuar përhapjen e virusit, do të zbatohen në Paris dhe tre departamentet që e rrethojnë menjëherë, për një kohëzgjatje prej dy javësh,” tha ai.
Që një qytet të vendoset në gatishmëri maksimale, shkalla e incidencës duhet të kalojë 100 infeksione për 100,000 në mesin e banorëve të moshuar dhe 250 për 100,000 në mesin e publikut të gjerë, ndërsa të paktën 30% e shtretërve të kujdesit intensiv janë të rezervuara për pacientët me koronavirus.
Një javë më parë, restorantet dhe baret u mbyllën për dy javë në Marsejë, qyteti jugor në epiqendrën e valës së dytë, duke nxitur protesta dhe një sfidë të pasuksesshme ligjore. Restorantet në Marsejë do të lejohen të rihapen më herët nën të njëjtat protokolle të reja.
Franca të Dielën raportoi 12,565 raste të reja të koronavirusit, ndërsa 893 pacientë me COVID-19 ishin pranuar në kujdes intensiv gjatë javës së kaluar. (Reuters)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.