Park fotovoltaik në Karavasta – Shpallet ankandi, Balluku: Investimi, mbi 100 milion euro
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur hapjen e ankandit për ndërtimin e parkut fotovoltaik në zonën e Karavastasë, me një fuqi të instaluar prej 140 MW. Ministrja, Belinda Balluku tha se vlera e investimit për këtë vepër energjetike përllogaritet në mbi 100 milion euro, ndërkohë që për 70 MW shteti do të garantojë blerjen e energjisë dhe 70 MW të tjerë do të mund të tregtohen në treg të lirë.
Investitorët e interesuar do të kenë afat deri në datën 16 mars 2020 për dorëzimin e ofertave, ndërkohë që fituesi do të përzgjidhet në bazë të çmimit që do të ofrojë, teksa çmimi tavan është 55 euro/MW.
Referuar afateve të shpallur, ministria planifikon që deri në datën 8 maj të ketë mbyllur të gjithë procedurat e nevojshme dhe të ketë lidhur kontratën me investitorin, ndërkohë që vetëm pas nënshkrimit të saj do të shikohet sesa do të jetë kohëzgjatja e ndërtimit të këtij parku. Por, teksa ky dikaster po avancon me një procedurë të re, për një tjetër park fotovolatik, që është ai i Akërnisë nuk ka asnjë zhvillim konkret.
Fituesi për ndërtimin e këtij impianti është shpallur që në muajin nëntor të vitit 2018, por deri më tani palët nuk kanë arritur të nënshkruajnë një kontratë, që t’i hapë rrugë investimit. Nëse kjo do të ishte arritur në kohë, tashmë investimi do të ishte drejt përfundimit, pasi afati i zbatimit të tij ishte 18 muaj. Gjatë shpalljes së ankandit të Karavastasë, Balluku nuk dha detaje për këtë investim, por deklaroi se “Akërnia’ është një problem që duhet zgjidhur.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.