Parku diellor në Karavasta – Mbi 20 kompani të huaja në garë për ankandin, investimi mbi 100 milion euro
Më shumë se 20 kompani nga e gjithë bota kanë hyrë në garë për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë. Të dhënat për TV SCAN bëhen me dije nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërkohë që investitorët e tjerë të interesuar kanë edhe rreth një muaj kohë për të dorëzuar ofertat e tyre. Kjo, pasi referuar afateve të shpallur gjatë hapjes së ankandit ofertat mund të dorëzohen deri në datën 16 mars 2020.
Parku fotovoltaik i Karavastasë do të ketë një fuqi të instaluar prej 140 MW, ndërsa vlera e investimit për këtë vepër energjetike përllogaritet në mbi 100 milion euro. Referuar masave lehtësuese, për 70 MW shteti do të garantojë blerjen e energjisë dhe 70 MW të tjerë do të mund të tregtohen në treg të lirë. Fituesi i ankandit do të përcaktohet pikërisht nga ofertat që do të paraqesë për çmimin me të cilin qeveria do i blejë energjinë, ndërsa çmimi tavan është 55 euro/ MW.
Referuar afateve të shpallur, ministria planifikon që deri në datën 8 maj të ketë mbyllur të gjithë procedurat e nevojshme dhe të ketë lidhur kontratën me investitorin, ndërkohë që vetëm pas nënshkrimit të saj do të shikohet sesa do të jetë kohëzgjatja e ndërtimit të këtij parku. Por, teksa ky dikaster po avancon me një procedurë të re, për një tjetër park fotovolatik, që është ai i Akërnisë nuk ka asnjë zhvillim konkret. Fituesi për ndërtimin e këtij impianti është shpallur që në muajin nëntor të vitit 2018, por deri më tani palët nuk kanë arritur të nënshkruajnë një kontratë, që t’i hapë rrugë investimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.