Parlamenti i BE dhe qeveritë bien dakord për detajet e buxhetit europian për 2021-2027
Negociatorët nga Parlamenti Europian dhe qeveritë e BE ranë dakord për detajet e buxhetit europian për 2021-2027 të martën, në një hap vendimtar për aktivizimin e paketës së rimëkëmbjes prej 1.8 trilionë eurosh të bllokut për ta bërë ekonominë më të gjelbër dhe më dixhitale.
“Një marrëveshje për Europën – negociatorët e Këshillit dhe Parlamentit Europian arritën një marrëveshje politike mbi buxhetin e BE dhe paketën e rimëkëmbjes,” tha zëdhënësi i presidencës gjermane të BE Sebastian Fischer në Twitter.
Marrëveshja, e cila zgjati gati katër muaj për t’u negociuar, tani duhet të miratohet zyrtarisht nga qeveritë e BE dhe Parlamenti Europian.
Kjo mund të shkaktojë fërkime të reja sepse marrëveshja lidh hyrjen në paratë e BE me respektimin e shtetit të së drejtës – një kusht që Polonia dhe Hungaria e kundërshtojnë me forcë sepse ato janë nën vëzhgimin e BE për minimin e pavarësisë së gjykatave dhe mediave.
Kryeministri hungarez Viktor Orban i ka dërguar një letër Komisionit Europian dhe kryetarit të udhëheqësve të BE Charles Michel duke kërcënuar se do të vërë veton e buxhetit prej 1,1 trilionë eurosh nëse nuk hiqet lidhja midis parave dhe sundimit të ligjit.
Por zyrtarë të lartë thanë se nuk ishin të sigurt nëse Hungaria do ta bënte këtë, sepse një veprim i tillë do të prishë para për të gjithë BE-në me 27 vende, duke përfshirë Hungarinë dhe Poloninë vetë, të dyja këto ishin përfituese neto të mbështetjes financiare të BE-së.
Polonia veçanërisht është ndër përfituesit më të mëdhenj të subvencioneve të drejtpërdrejta të BE për fermerët të cilët janë baza elektorale e partisë nacionaliste në pushtet PiS. Nëse Varshava dhe Budapesti bllokojnë buxhetin e ardhshëm, subvencionet për fermerët do të ndalen. (Reuters)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.