Parrezikshmëria në Aviacion/Firmoset memorandumi Shqipëri – Itali. Për çfarë ranë dakord palët?
Mes Drejtorit të Aviacioni Civil Shqiptar Krislen Keri dhe Drejtorit të Aviacionit Civil Italian Alessio Quaranta, është firmosur një Memorandum Mirëkuptimi, me synim forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Në memorandum palët bien dakord që të bashkëpunojnë në nivele të larta, për të standardizuar dhe harmonizuar praktikat dhe procedurat në fushën e parrezikshmërisë në aviacion. Disa nga pikat kryesore të Memorandumit të Mirëkuptimit:
- Parrezikshmëria në Aviacion, palët bien dakord për shkëmbyer informacion. Pala italiane ofron ekspertizën e saj përfshirë dhe trajnime për operacione të ndryshme për inspektorët.
- Palët do të vazhdojnë të ruajnë kontakte intensive për të respektuar të drejtat e pasagjerëve në aeroportet respektive, dhe angazhohen të marrin masat e nevojshme për të mos lejuar shkelje.
- Autoriteti i Aviacionit Civil Italian, angazhohet për të dhënë asistentë dhe ekspertizë në hartimin e dokumentacioneve për certifikimin, për programet shtetërore të sigurisë, për operimet e droneve etj.
Gjatë takimit Drejtori i “AAC” Keri, e njohu homologun Italian me zhvillimet në aviacionin shqiptar, sfidat dhe objektivat e të ardhmes, siç janë hapja e 2 aeroporteve, një në Vlorë dhe në Kukës.
Keri u ndal edhe te nismat e ndërmarra së fundmi, për të mbrojtur të drejtat e pasagjerëve dhe rritjen e sigurisë në aviacion, për të mos toleruar asnjë vonesë të paarsyeshme dhe mos informim të pasagjerëve.
Nga ana e tij Drejtori i Aviacionit Civil Italian Alessio Quaranta, vlerësoi zhvillimet e fundit në aviacionin shqiptar dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me palën shqiptare për të përballuar disa nga sfidat që lidhen me rritjen e kapaciteteve, duke ofruar dhe asistencën e “AACI”, për trajnime të stafit si teknikisht dhe me ekspertizë.
Në përfundim të takimit, u ra dakord që palët të zhvillojnë disa takime të tjera, në nivel teknik, për të ruajtur nivelin e lartë të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.