Pas datës 10 mars, mallrat e konfiskuara do të shiten pa ankand
Pas datës 10 mars, mallrat e konfiskuara do të shiten me procedurë negociimi, pa shpallje ankandi në rastet kur natyra e objektit nuk lejon zbatimin kohor të procedurave të ankandit. Ndryshimet ligjore janë publikuar në Fletoren Zyrtare dhe do të hyjnë në fuqi pas 15 ditësh.
Në listën e përjashtimeve nga procedurat normale të ankandit janë përfshirë gjëja e gjallë e konfiskuar si dhe mallra si fruta, perime, bulmet, mish dhe çdo mall i kësaj natyre që ndryshojnë natyrë në një kohë relativisht të shkurtër apo mund të jenë në prag skadence për të cilat është i domosdoshëm tjetërsimi i tyre.
Ky vendim vjen në një kohë që po zhvillohet një operacion masiv kundër informalitetit e ku konfiskohen sasi të konsiderueshme mallrash, kryesisht të tregtarëve të vegjël. Po ashtu, vendimi vjen në një kohë kur është paralajmëruar një operacion masiv në vend për moslejimin e tregtimit të kafshëve pa certifikatë veterinare në tregjet e zonave rurale.
Në këto kushte, për shkak të specifikës, mallrat e konfiskuara si perime, mish apo bagëti do të shiten me procedurë negociimi, pa shpallje paraprake e në një afat kohor minimal tre ditë nga data në të cilën është dërguar ftesa për ofertë kandidatëve.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.