Pas gjyqtarëve e prokurorëve, Vetting dhe noterëve – Gati projektligji për verifikimin e lidhjeve kriminale, përfshirjen në pastrimin e parave
Pas gjyqtarëve e prokurorëve, profesioni I noterëve do t’I nënshtrohet një site të imët për sa i përket aktiviteteve kriminale e përfshirjes në pastrimin e parave. Ministria e Drejtësisë ka hedhur për konsultim publik disa ndryshime në Ligjin NR.110/2018, “PËR NOTERINË”.
Në relacionin shoqërues shpjegohet se projektligji ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe dispozitave për kontrollin dhe marrjen e masave të përshtatshme për të adresuar lidhjet kriminale të të interesuarit, kandidatit për noter, zëvendës noterit ose noterit, si dhe të garantohen masa efektive për të parandaluar depërtimin e elementëve kriminalë ose të lidhur me ta në këtë profesion.
Që në krye të relacionit nënvizohet se Shqipëria prej Shkurt 2020 është përfshirë në listën e vendeve “nën monitorim të shtuar”/ “lista gri” nga Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar (FATF), organ ndërqeveritar që përcakton në nivel ndërkombëtar standardet dhe që nxit zbatimin efektiv të masave ligjore, rregullative dhe operacionale për luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, etj. Miratimi i këtij projektligji ka për qëllim përmbushjen e rekomandimeve të FATF dhe MONEYVAL, në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Me ndryshimet në ligjin nr. 110/2018 synohet që të kontrollohet ndër të tjera, jo vetëm gjendja gjyqësore e të interesuarit, kandidatit për noter, zëvendësnoterit ose noterit, sipas parashikimeve aktuale në ligj por edhe integriteti dhe besueshmëria e tij, si dhe mos përfshirja në listën e personave të shpallur sipas legjislacionit në fuqi për masat kundër financimit të terrorizmit. Ky verifikim do të kryhet krahas verifikimit të kushteve të tjera gjatë të gjithë hallkave përmes së cilave kalon procesi për hyrjen në profesionin e noterit konkretisht, verifikimi i kushteve do të kryhet përpara pjesëmarrjes në provimin e pranimit në formimin fillestar, përpara se të bëhet kandidat për noter, përpara pjesëmarrjes në provimin e kualifikimit.
Gjithashtu, objekt i këtij ligji është edhe marrja e masave përkatëse për pezullimin dhe heqjen e licencës si sanksione proporcionale, frenuese dhe efektive për adresimin e rasteve të përfshirjes së noterit dhe zëvendësnoterit në veprimtari të jashtëligjshme, por duke garantuar të gjitha të drejtat e këtyre subjekteve në kuadër të procesit të rregullt ligjor.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.