Pas Italisë, pengesa edhe për buxhetin grek – Zyrtarët e BE ndryshojnë planet e reja të Tsipras
Pas kundërshtimit të buxhetit të Italisë, zyrtarët Europianë me sa duket kanë në plan të përmbysin edhe planet e qeverisë greke për zbutjen e masave sociale dhe shkurtimin e pensioneve.
Kreu i Mekanizmit Europian të Stabilitetit, Klaus Regling, tha për ‘Ekathimerini’, se përfundimi që Brukseli duket se ka arritur është se suficiti fiskal i parashikuar i Greqisë nuk do të jetë aq i madh sa të shmangë shkurtimet e pensionet dhe masat e tjera të planifikuara.
Sipas tij, hapësira fiskale në Greqi nuk do të jetë e mjaftueshme për të shmangur plotësisht reduktimin e pensioneve.
Skenari i dyti i projektbuxhetit që Athina i paraqiti Brukselit, i cili lë jashtë shkurtimet e pensioneve, është llogaritur ndryshe nga kreditorët e vendit. Ata parashikojnë se suficiti primar do të arrijë vetëm 3.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (ose edhe më pak) vitin e ardhshëm, kundrejt një vlerësimi të qeverisë prej 3.6 për qind.
Në këto kushte, qeveria greke do ta gjejë veten përballë dilemës për të vendosur midis shkurtimeve të pensioneve dhe moszbatimit të disa masave që Tsipras ka njoftuar më herët. Këto të fundit përfshijnë heqjen e taksës së solidaritetit për të ardhura më të ulëta, një subvencion për familjet me qira, uljen e Tatimit të Vetme të Pronës (ENFIA) dhe zvogëlimin e taksës së korporatave.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.