Pas protestave masive qeveria Çeke i ‘mbijeton’ votës së mosbesimit
Qeveria çeke e udhëhequr nga partia populiste ANO, i mbijetoi votës së mosbesimit në parlament pas protestave masive kundër kryeministrit Andrej Babis. Ndërkohë që votimi i ka dhënë pushim të përkohshëm Babisit, fati i kabinetit të tij është ende në ‘peshore’ pasi presioni nga partnerët e koalicionit dhe autoritetet e BE rritet.
Babis, një miliarder i kthyer politikan, është nën hetim për mashtrime të supozuara në lidhje me subvencionet dhe konfliktet e interesit të BE-së mbi lidhjet me ish perandorinë e tij të biznesit. Ai me forcë i mohon pretendimet. Mocioni i mosbesimit, i kërkuar nga opozita, siguroi vetëm 85 vota në dhomën e ulët të parlamentit me 200 vende pas 17 orësh të debati.
Rezultati ishte i pritshëm pasi partneri i koalicionit ANO, socialdemokratët e qendrës së majtë dhe partia komuniste, e cila gjithashtu ka mbështetur qeverinë, të dy refuzuan të bashkohen me partitë opozitare për rrëzimin e Babisit. “Unë e marrë këtë nismë si një përpjekje për të destabilizuar vendin,” tha Babis para parlamentit përpara votimit. “Nuk duam zgjedhje të parakohshme dhe shpresoj që qeveria jonë të qeverisë deri në fund të mandatit të saj”.
Megjithatë, marrëdhëniet e Social Demokratëve me ANO janë bërë gjithnjë e më të brishta, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të partisë kanë shprehur haptazi idenë e largimit të tyre nga kabineti. Qeveria mund të mbijetojë duke humbur Socialdemokratët duke u mbështetur tek partia komuniste, si dhe tek partia e ekstremit të djathtë, Liria anti-Europiane dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë (SPD). Babis në të kaluarën, ka shmangur gjithmonë një aleancë me të djathtën ekstreme.
Burimi: Euronews
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.