Pas rritjes në mars, indeksim pagash e pensionesh në korrik? Pritet edhe rritje e kontributeve shoqërore
Veç rritjes së pagave dhe pensioneve që përfitohet në muajin prill, qeveria ka planifikuar të ndërhyjë në masën e pagave dhe pensioneve edhe në muajin korrik të këtij viti. Në kalendarin e vendimeve që do të miratohen nga qeveria për vitin 2017, janë parashikuar edhe dy vendime, ai për ideksimin e pagave dhe ai për indeksimin e pensioneve, çka nënkupton një rritje tjetër të tyre.
Vendimet janë në listën e akteve të propozuara nga Ministria e Mirëqënies Sociale për vitin 2017, raporton SCAN. Vendimi i parë është ai “për koeficientët e ideksimit të pagave për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve”.
Vendimi tjetër është ai “për indeksimin e pensioneve” që ka si qëllim ideksimin e pensioneve në fshat e në qytet.
Indeksimi parashikohet të bëhet në varësi të ndryshimit të indeksit të çmimeve në harkun vjetor.
Po ashtu, një vendim tjetër i përcaktuar për t’u miratuar në muajin korrik është edhe rritja e pagës minimale për efekt kontributesh.
Në listën e vendimeve të muajit korrik është edhe ai “për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor. “arsyeja e nxjerrjes së këtij projektvendimi vjen si rezultat i rritjes së pagave për të cilën del e nevojshme që të rriten edhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore” shkruhet në motivacionin që shoqëron kalendarin e akteve. SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.